Nikoleta Katsidima – Llaju
Studjoi për filologji në Universitetin e Athinës. I takon brezit të ri të poetëve të sotëm më të njohur në Greqi. Ka botuar disa vëllime poetike e studime kritike. Poezi të saj janë përfshirë në antologji të ndryshme brenda dhe jashtë Greqisë.
PEMË GJENEALOGJIKE
Vinte edhe pas vdekjes
Në shtëpi
Në vresht
Në të mbjellat
Për të parë mundin e tij
Vetëm vajzën e vogël
Lejonte ta shikonte
Prandaj edhe gjithmonë vishte
Jelekun e zi
Që ajo i kishte qepur
I kërkonte ujë
Dhe e linte të paprekur
Mos të ndotte fëmijën
Me mortjen
Kur u martua
Nuk e pa më
Vite më vonë
Embrioni i vogël femëror
Brenda saj
Filloi të qepte
Një jelek të ri
Të zi
HISTORI
Në një breg të Afrikës P
thonë
se Atlantiku
më kot udhëton.
Sepse aty një dashuri negre
çdo agim
anës – anës dallgës kalon
e psherëtin:
“të humba Izabel!”
GJEOGRAFI BURRI
Është brun.
Nga lindja e tij rrjedh një lumë
nga perëndimi i tij një livadh me grurë.
Duhet ta kem takuar
përsëri në Aleksandri
edhe më parë në Romë
ose në Kartagjenë.
E nëse atëhere ngurrova për pak
tani trupi im
mori menjëherë formën
e duarve të tij.
GRUA
E kujton akoma.
Ishte në rrugët
e Pompeit
kur shekujt
u strukën nënshtrueshëm
në shkundjen mospërfillëse
të flokëve të saj.
Përktheu: Vangjel Zafirati